Bota

Zgjedhjet vendore në Turqi, Stambolli në fokus!

Turqia në zgjedhje lokale. Partia e presidentit Erdogan, AKP synon të rimarrë drejtimin në Stamboll. Rezultati mund të ndryshojë trajektoren e vendit. Kandidati i AKP-së, Murat Kurum premton ndërtimin e 500 mijë shtëpive të reja, për të mbrojtur Stambollin nga kërcënimi i tërmeteve. Por, kryebashkiaku aktual, Ekrem Imamoglu nga Partia Popullore Republikane, në opozitë, paralajmëron se rikthimi i qeverisjes së AKP-së do të nënkuptonte ndërtimin e pakontrolluar në Stamboll.

Këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’iu dhënë përgjigje problemeve të pazgjidhura të qytetit, problemeve që janë përkeqësuar.

Fitorja e papritur e Imamoglu në zgjedhjet e vitit 2019, i dha fund qeverisjes 30 vjeçare të partisë së Erdoganit në Stamboll dhe u mundësua falë një aleance të gjerë zgjedhore ndërmjet partisë pro-Kurde e asaj Nacionaliste turke. Por, kjo aleancë u shpërbë pasi pësoi disfatë ndaj presidentit Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Analistët shprehen se koalicioni opozitar është i përçarë. Të gjithë kanë dalë me kandidatët e tyre… Gara është e ngushtë ose ndoshta Ekrem Imamoglu ka epërsi disa pikëshe, provë e aftësisë së jashtëzakonshme të tij për të bërë fushatë dhe gabimeve amatoreske të Murat Kurumit.

Shtabi elektoral i kandidatit Imamoglu transmetoi video fushate, për të fituar votat e kurdëve, në përpjekje për të rindërtuar aleancën e tij zgjedhore. Në kushtet kur opozita ende nuk është rimëkëmbur nga disfata zgjedhore e vitit të kaluar, mbajtja e pushtetit në Stamboll, sipas analistëve, do t’ia shtonte gjasat për të sfiduar sërish kreun e shtetit, Erdogan.

Zgjedhjet vendore të 31 marsit, japin shpresë se opozita mund të mobilizohet sërish dhe të paktën të mbrojë disa nga hapësirat e gjelbra në lagjet e Stambollit. Në këtë pikë ku jemi, është e rëndësishme që opozita të ruajë veten, të mbrojë shpresën se dikur, në të ardhmen, mund të ndodhë një ndryshim i vërtetë në shoqëri, në politikë.

Teksa pakënaqësitë e popullatës me inflacionin e lartë po rriten, Erdogan po viziton vendin, duke nxitur përkrahësit e tij t’u kërkojnë miqve dhe familjarëve të tyre në Stamboll, të votojnë.

Nëse Erdogani fiton në Stamboll, votuesit e opozitës kurrë më nuk do të dalin në zgjedhje. Dhe pastaj çfarëdo që Erdogani ka në plan të bëjë, për shembull, t’i japë vetes një mandat të tretë, ai do ta ketë më të lehtë ta arrijë për shkak të kësaj apatie të votuesve. Së dyti, Imamoglu ka gjasa të jetë rivali i tij i vetëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Analistët thonë se një fitore në Stamboll do t’i mundësonte Erdoganit të forcojë pushtetin e tij. Për  Imamoglu-në, fitorja do të konfirmonte se është i denjë për ta mundur Erdoganin.