Aktualitet

Zgjedhjet vendore, vijon numërimi për këshillat në 7 bashki/PS ruan epërsinë!

Ndërsa mbeten edhe shtatë bashki ku duhet të numërohen votat për Këshillat Bashkiakë pas vendoreve të 14 Majit e procesi vijon, Partia Socialiste rezulton forcë e parë në pjesën dërrmuese të tyre. Madje, socialistët kanë marrë përqindjen më të lartë të votave dhe në pesë nga shtatë bashkitë e fituara nga kandidatët e “Bashkë Fitojmë”. Në Himarë e Has me kryebashkiakë nga koalicioni Berisha-Meta, PS-ja siguroi kontrollin e këshillave.

Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se shifra zyrtare e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore rezulton 38.22%. “Nga 5 mijë e 213 qendra votimi morën pjesë 1 milion  395 mijë e 360 zgjedhës nga numri në total 3.650.658”. 38.22% mund të konsiderohet shifra zyrtare e pjesëmarrjes në zgjedhje. Pak a shumë, i njëjti numër dhe për këshillin.

Në përgjigje të kryeministrit Rama, Celibashi theksoi se vetëm 5% e qendrave të votimit janë hapur pas orës 08:00. Sipas tij, kjo vonesë nuk pati ndikim të madh në proces. “Këto janë fakte dhe pastaj mbi to mund të bëjë vlerësimin, por kurrësesi impakti i kësaj vonese ka qenë negativ në mbarëvajtjen e procesit”, – tha Celibashi.

Sa i përket kryebashkiakëve, kujtojmë se nga numërimi i votave, Partia Socialiste do të ketë të zgjedhurit e saj në 53 bashki, ndërsa “Bashkë Fitojmë” në vetëm 7. Bashkia Finiq do të drejtohet nga përfaqësuesi i partisë “MEGA”, i minoritetit grek.

Në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj arriti një fitore shumë të thellë, me një diferencë prej 58 mijë votash, ndaj rivalit kryesor Belind Këlliçi. Nëse krahasohen të dhënat e viti 2015, Veliaj rezulton të ketë ruajtur gati të njëjtin numër votash, ndonëse garon për mandatin e tretë.

Në të kundërt, Këlliçi është poshtë votave që mori në atë kohë kandidati demokrat Halim Kosova, kur LSI (tani PL) ishte në aleancë me socialistët, ndërsa në këto zgjedhje ishte në koalicion me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ndërkaq, edhe Këlliçi iu bashkua linjës së mbajtur nga Berisha, duke folur dhe ai për një rezultat që siç pretendon nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.