Aktualitet

Zgjerimi i BE-së e kriza energjetike, fokusi i kryediplomatëve të BE-së në Bruksel!

Të mbledhur sot në Bruksel, ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian pritet të diskutojnë për ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor të pushtimit rus të Ukrainës, si dhe për procesin e zgjerimit të BE-së. Diskutimi vjen në prag të një samiti mes Bllokut e Ballkanit Perëndimor e që do të zhvillohet në datën 6 dhjetor në Tiranë. Nga Unioni u paralajmërua se do të diskutohet edhe për krizën energjetike në Ballkanin Perëndimor, si dhe për ndihmën që Unioni është duke u ofruar vendeve të rajonit në këtë aspekt.

Sa u përket raporteve mes Kosovës e Serbisë, ministrat pritet të përsërisin thirrjet për angazhimin konstruktiv të palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të ulen tensionet e që tani kanë kulmuar me përplasjet për riregjistrimin e targave të makinave.
Po ashtu, pritet të kërkojnë përparim në procesin e dialogut, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e BE-së, për këtë qëllim, Kosova dhe Serbia janë në negociata që prej vitit 2011. Dy vendet kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por zbatimi në terren i shumicës së tyre ka ngecur. Më herët, Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i dorëzoi një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale. Para një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të Unionit në Bruksel, Borrell deklaroi:

Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për daljen nga kriza, të cilin duhet ta shqyrtojnë palët.

Zyrtari i lartë nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi e as kur është dorëzuar. Aktualisht, tensionet mes Kosovës e Serbisë janë të larta, për shkak të vendimit të Prishtinës zyrtare për të nisur procesin e regjistrimit të targave të makinave, duke i konvertuar në RKS-Republika e Kosovës. Targat serbe i konsideron “të paligjshme”.