Bota

Zhvillimet në Gaza, bisedë Biden-Netanyahu!

Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu për “situatën në Izrael dhe në Gaza”, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë. Detajet ende nuk janë publikuar, por kjo pritet pak më vonë.

U raportua se bisedimet u zhvilluan pasi zyrtarët e Komitetit Ndërkombëtar të Gjysmëhënës së Kuqe raportuan “sulme intensive nga dronët izraelitë në spitalin Al-Amal” në Khan Yunis, qytet në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Këtë javë, Izraeli filloi sulme të reja në qytetin për të cilin thotë se është një bazë për luftëtarët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng rreth 250 të tjerë. Izraeli beson se ende 130 persona mbahen nga Hamasi. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.

Sulmi i Izraelit, në një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurësve dhe më shkatërruese në historinë moderne ka lënë të vrarë pothuajse 25 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza. Po ashtu, ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe mbi 80% e popullsisë së territorit me 2.3 milionë banorë u largua nga shtëpitë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.

Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë po ashtu ka theksuar se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gaza.