Aktualitet

Zjarr i madh në Selenicë, zjarrfikësit në luftë me flakët për më shumë se një orë, era ndihmon në përhapjen e tyre!

Një zjarr ka rënë në fshatin Penkovë në Selenicë të Vlorës, ndërsa zjarrfikëset po punojnë për të shuar flakët.

Gazetari Mikel Marsi raporton se zjarri është aktiv prej rreth 1 orë dhe ka djegur sipërfaqe me kullota dhe bimësi.

E ndihmuar dhe nga era e fortë që prej dy ditësh ka përfshirë Vlorën por dhe temperaturat e larta zjarrfikësit po mundohen që ta izolojnë dhe më pas ta shuajnë këtë sipërfaqe me kullota dhe pemë.

Një tjetër zjarr i rënë nga pakujdesia e fermerëve ka djegur 5 rrënjë ullinj dhe rreth 500m2 bimësi me shkurre e ferra në fshatin Sadovicë në Njësinë Administrative Sinjë në Berat.

Zjarri është shkaktuar nga pakujdesia e vetë fermerëve, të cilët ishin duke pastruar parcelat me ullinj dhe duke djegur mbeturinat.

Papritur zjarri u ka dalë nga kontrolli dhe më pas kanë njoftuar zjarrfikësit. Pas njoftimit të marrë drejt zonës janë nisur 7 punonjës zjarrfikës 2 mjete zjarrfikëse dhe efektivë të policisë së shtetit.