Bota

Zjarre të papritura dhe urdhra evakuimi përfshijnë Texas në jug të SHBA!

Në pamjet e shpërndara sot nga zjarrfikësat në SHBA shihej tymi e zjarri pranë qytezës së Amarillo teksa mijëra hektarë pyll raportohet se janë djegur nga zjarret e shpërthyera në zonën Smokehouse Creek.

Zyrtarët thonin se zjarret e ndihmuar nga erërat po përhapeshin drejt jugut, ndërsa ndërhyrja për ndalimin e tyre ishte thuajse e paefektshme.

Guvernatori i Texas, Greg Abbott lëshoi një “deklaratë katastrofe” për disa zona, sipas tij për të liruar burimet e reagimeve kundër zjarrit.

 “Banorët e Texas nxiten të reduktojnë aktivitetet e tyre dhe të marrin masa për mbrojtjen të njerëzve më të dobët”, tha Abbott në deklaratë.

Disa qyteza të tjera më shumë se 100 km larg zjarreve kishin lëshuar urdhra evakuimi duke u kërkuar qytetarëve të strehoheshin në shtëpi ose ambjente publike, por hasën në rezistencë nga banorët qe kërkonin te kontribuonin kundër zjarreve.

Disa dhjetra njerëz ishin strehuar në një kishë rreth 50 km larg Amarillo, raportonin mediat vendase.

“Kemi njerëz në ambjentet tona disa prej të cilëve kanë humbur shtëpitë,” konfirmonte pastori vendas Dwight Kirksey për rrjetin CNN.

Zyrtarët shtonin se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike mëngjesin e të mërkurës në Texas.