Aktualitet

Zjarri në Selenicë jashtë kontrollit, digjet një banesë; shkrumbohen dhjetëra hektarë tokë

Një vatër zjarri është përhapur që prej mbrëmjes së djeshme në fshatin Dushkarak të Bashkisë Selenicë. Flakët kanë vijuar edhe sot, të favorizuara nga era dhe kanë djegur rreth 30 hektarë me shkurre, pemtari dhe ullinj.

Një banesë është djegur, ndërsa po punohet që flakët të mos afrohen drejt banesave të tjera.

Zjarrfikësja e Vlorës nuk ka patur ndërhyrje ndërsa ajo e Selenicës e ka të pamundur që me një mjet zjarrfikës të shuaj flakët. Zjarrfikësit nga Vlora nuk janë të gatshëm për të shkuar në vendngjarje, pasi mjetet janë në vatra të tjera zjarri.

Vendi ynë vijon betejën me flakët, ku gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri aktive, por 15 prej tyre janë arritur të shuhen. Aktualisht vatra më problematike është në Selenicë, ku flakët kanë përpirë një banesë, ndërsa në rrezik janë edhe të tjera.

Gjithashtu janë djegur rreth 30 hektarë me shkurre, pemëtari dhe ullinj. Një vatër aktive është edhe në fshatin Gjysulkanë në Tiranë, ku rrezikohet që disa banesa të përfshihen nga flakët.

Malësia e Kurbinit prej disa ditësh ndodhet në pushtetin e zjarrit, ndërsa në ditën e sotme është bërë e mundur ndërhyrja nga ajri. Në vatrën ku ka rënë zjarri janë disa banesa të cilat ndodhen në rrezik pasi mund të përfshihen nga flakët.

Zjarri ka përpirë mëngjesin e sotëm masivin pyjor në rajonin Skuraj – Mal Bardhë të Milotit. Terreni është mjaft i thyer dhe nuk mund të ndërhyhet me zjarrfikëse, ndërkohë ka mbërritur helikopteri i ushtrisë dhe 50 forca të ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërkohë, vijon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut” në Shkodër, ku janë angazhuar për shuarjen e flakëve forcat zjarrfikëse, 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe banorë të zonës.

Ne fshatin Bardhaj, një vatër masive zjarri e cika përhapet me shpejtësi.

Në Berdicë një lagje rrezikon të digjet, rrezikohen disa banesa në lagjen Masmalaj. 1 mjet zjarrfikës ndodhet në vendngjarje por e ka te pamundur shuarjen e flakëve.

Ndërkohë që në këto momente është shfaqur edhe një vatër tjetër në Velipojë pranë rezervatit.

Në vatrën e zjarrit që ra një natë më parë në Elbasan, vijon puna për shuarjen e flakëve. Ndërsa një ditë më parë zjarri la pasoja të rënda në fshatin Bukmirë të Mirditës ku është djegur një sipërfaqe prej 250 hektarë me pyje, vreshta dhe disa shtëpi të braktisura.

Po kështu zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë kanë arritur të lokalizojnë zjarrin në Nikël të Fushë-Krujës.