Politikë

Zyrtarja e lartë e DASH mbërrin në kryeministri për takimin me Ramën, shoqërohet nga Escobar dhe Kim

Ndihmës Sekretarja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, ka mbërritur në kryeministri ku është pritur nga Edi Rama.

Donfried shoqërohet në takim nga ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, si dhe nga Gabriel Escobar.

Mësohet se Donfried po zhvillon një takim me dyer të mbyllura me kryeministrin Edi Rama. Takimi ka nisur në orën 08:50 në kryeministri. Nuk dihet nëse pas takimit do të ketë deklarata për mediat. Në takim janë gjithashtu të pranishëm edhe Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorja Yuri Kim.

Në takimin me Ramën, pritet të diskutohen çështje të rëndësishme të aktualitetit, përfshirë fokusin e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.

Fokusi i bashkëbisedimit me Ramën do të jetë politika e jashtme dhe integrimi në BE, kriza në Ukrainë apo Integrimi në Bashkimin Europian, por edhe zhvillimet politike në vend, si reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

Pas takimit me Ramën, zyrtarja e lartë e DASH do të takohet dhe me tre përfaqësues të PD-së, deputetë jashtë Komisionit të Rithemelimit, si Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku.

Vizita e Donfried konfirmon qëndrimin refuzues të SHBA-ve, për të njohur Sali Berishën si drejtues të partisë më të madhe opozitare në vendin tonë.

Gjatë pasdites së djeshme Ndihmës Sekretarja e SHBA-ve, për Çështjet Evropiane dhe Euraziatike, u takua me komisionerin Oliver Varhelyi ku folën për domosdoshmërinë e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonis së Veriut në Bashkimin Europian.