Rajoni

Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt, paralajmërohen protesta në Kosovë

Pas bastisjes dhe arrestimit të kryetarit dhe zv.Kryetarit të Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Prokuroria Speciale, në Kosovë paralajmërohen protesta. Xhavit Jashari nga kjo organizatë thekson se gjatë ditës së djeshme, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë rrëmbyer jo ndaluar. Aksioni i djeshëm i EULEX-it erdhi pas shpalosjes së disa dosjeve të Gjykatës Speciale të lidhura me UÇK-në.

Avokati Arianit Koci ka thënë se Zyrja e Prokurorit të Specializuar ka vepruar sipas mandatit të vet, që i’a kanë dhënë vet deputetët e Kosovës kur e kanë votuar ligjin. “Unë e kam një shqetësim se si duket juristët e huaj nuk po e kuptojnë kontekstin tonë shoqëror. Dhe nuk ka pasur nevojë për asnjë lloj spektakli. Çdo i ftuar deri më tani i është përgjigjur ftesës edhe zotëri Gucati edhe zotëri Haradinaj ishin përgjigjur pa problem. Sa i përket bastisjes besoj që ka qenë një spektakël i panevojshëm. Ka pasur forca jashtëzakonisht të mëdha të policisë. Dhe nuk është dashur, me dy tre policisë kanë mundur të kryejnë bastisjen pa asnjë problem”,-thotë Koci.

Ai thotë se ende nuk dihet nëse dosjet e dorëzuara në zyrat e OVL-UÇK-së, janë dokumente autentike. E për këtë sipas tij, prokuroria duhet të jap shpjegim dhe të hetojë se pse kanë dalë këto dosje në masë të madhe. Si të tilla, Koci thotë se asnjë dokument, përmbajtja e tyre, ose emër të dëshmitarëve nuk duhet të bëhen publike.