Politikë

PD: Deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja është anëtar i bandës së Shullazit!

Deputeti demokrat Enkelejd Aliebaj tha se deputetit socialist, Jurgis Çyrbja është anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Sipas tij këtë e vërtetojnë edhe përgjimet të cilat u publikuan sot në media.  Sipas përgjimeve, deputeti Çyrbja ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çështjen e hotel Vollgës. Ndërkaq ai tha se: “Çdo ditë që kalon po provon se Edi Rama e qeveris vendin si drejtues i një organizate kriminale, se ligji i dekriminalizimit është një copë letër që nuk zbatohet dhe se vrasësit, përdhunuesit, trafikantët e drogës në parlament i ka zëvendësuar me shërbëtorët e tyre në zyrat e shtetit. Jurgis Çyrbja, deputet i Edi Ramës në Shijak, është simbol sesi kryeministri i vendit vazhdon bashkëqeverisjen me krimin e organizuar. Partia Demokratike e ka denoncuar që në fillim ish drejtorin e hipotekës së Durrësit, Jurgis Cyrbja, si anëtar të bandës së Emiljano Shullazit, por, në vend që të ishte në burg bashkë me bosin e tij, Edi Rama e shpërbleu dhe e mori në mbrojtje bandën. Sot, kamikazet e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në atë të Krimeve të Rënda duhet t’u thonë shqiptarëve se përse ligji nuk vepron mbi deputetin e Ramës dhe përsë Jurgis Çyrbja nuk është në burg, njësoj si Emiljano Shullazi. Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria zbatimin e ligjit duke sjellë në Kuvend kërkesën per arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurges Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. ​