Aktualitet Politikë

14 Maji/ KQZ-ja u dha “dritën jeshile”, Alibeaj nuk humbet kohë, takim me grupin parlamentar dhe Kryesinë!

Kryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka mbledhur grupin parlamentar dhe kryesinë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Mësohet se në mbledhje do të marrin pjesë 16 deputetë: Eralda Tase Bane; Orjola Pampuri; Dhurata Çupi; Zheni Gjergji; Ferdinand Xhaferraj; Bledion Nallbati; Gazment Bardhi; Kreshnik Collaku; Merita Bakiu; Enkelejd Alibeaj; Selaudin Jakupllari, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu, Flamur Hoxha dhe Andia Ulliri.

27 marsi është afati i fundit për të regjistruar kandidatët në KQZ, ndërkohë që Alibeaj deri më tani ka bërë publik shumë pak emra, në ndryshim nga kampi tjetër i PD-së që ka të publikuar listën e plotë të kandidatëve, ndërsa PS pothuajse i ka përcaktuar të gjithë dhe mbetet vetëm zyrtarizmi më 25 mars. Në mbledhje pritet të zyrtarizohen kandidatët, por nuk dihet nëse do të bëhen publikë deri në afatin e fundit që është 27 marsi. Pavarësisht përçarjes, në 5 bashki PD zyrtare pritet që të mos nxjerrë kandidatë, kjo për shkak të kërkesës së bazës, ku edhe vetë degët lokale kanë përforcuar thirrjen që mos të nxjerrin kandidatë përballë atyre të primareve, ndonëse do të garojnë nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Koalicion ku logoja e Berishës nuk do të përdoret. Ky vendim pritet të merret sot, nëse Kryesia do të miratojë kërkesën nga baza që në disa bashki të përfaqësohen me një kandidat, siç është rasti i Elbasanit, apo i Devollit.

Edhe në këto zgjedhje, po ripërsëritet skenari i 6 marsit, zgjedhjeve të pjesshme vendore, në të cilat PD doli me dy kandidatë. Siç vendosi KAS, PD zyrtare do të përfaqësohet nga emri i Enklejd Alibeajt, si kryetar i komanduar, ndërkohë që Sali Berisha ka mbetur jashtë i paregjistruar, pa vulë e logo partie. Të gjitha institucionet e kanë rrëzuar Berishën dhe asnjë nuk e ka njohur si kryetar të PD-së, ndërkohë që ai ka gjetur strehë tek aleati i tij Ilir Meta. Berisha do të dalë në zgjedhje me koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, por në asnjë moment nuk do përdoret emri apo logo e tij.