Aktualitet

163 milion euro taksa më shumë/ U shtuan të ardhurat nga tatimi mbi bizneset dhe individët!

Në katër muajt e parë të këtij viti, qeveria shqiptare mblodhi 163 milion euro apo 9.7% më shumë të ardhura, në Buxhet. Por, për herë të parë, u konstatua se në muajin prill, të ardhurat u rritën më pak se inflacioni, duke sinjalizuar ngadalësim ekonomik.

Lokomotiva që udhëhoqi rritjen buxhetore vitin e kaluar, TVSH-ja apo siç njihet ndryshe, taksa e konsumit ka pësuar rënie gjatë këtij viti. Në rënien e TVSH-së, efektin më të madh e ka dhënë ajo që mblidhet për mallrat e importit ndërsa shifrat e muajit prill treguan rënien e fortë që pësoi tregtia e jashtme, edhe nga zhvlerësimi i Euros.

Rënia e çmimeve të karburanteve, gjithashtu është një tjetër faktor negativ për indikatorin. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë 320 milion më pak në Buxhet.

Tashmë, peshën më të madhe në rritjen buxhetore po e mbajnë Tatimi mbi Fitimin dhe mbi të Ardhurat Personale. Bizneset kanë derdhur  43.9% më shumë taksa në arkën e shtetit, teksa rritja e pagës minimale, si edhe asaj mesatare në sektorin privat solli 23.5% më shumë në Buxhet, duke tejkaluar edhe planin.

Në krahun e shpenzimeve, qeveria vijon të tregohet dorështrënguar, duke vijuar problemin e mosplanifikimit të mirë. Në katër muaj, shpenzimet u rritën me 3.4 miliardë lekë dhe u realizuan në masën 88.1% të planit.

Ndërkohë, suficiti buxhetor arriti në 33.9 miliardë lekë, rritje me 78.6%. Shpesh, deputetët dhe ekspertët kanë drejtuar kritika për shpërndarjen buxhetore që e gjitha grumbullohet në dy muajt e fundit të vitit. /Top Channel