Politikë

31 vjet nga rrëzimi i shtatores së Hoxhës, Basha firmos peticionin për dekomunistizimin dhe kërkon ndjesë

Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Lulzim Basha firmosi peticionin që i kërkon Parlamentit miratimin e një ligji për dekomunistizimin. Ndonëse nisma ka si promotore sekretaren e PD-së, Jonila Godole, nuk vjen si iniciativë e forcës më të madhe të opozitës, por mbështetet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Me këtë rast, Basha foli kundër kultit të individit, si dhe kërkoi ndjesë në emër të Partisë Demokratike.

“Çdo shoqëri që mendon se dikush nga ne, sado i talentuar, i aftë apo i djallëzuar të jetë, është Zot apo gjysmë zot, përfundon shumë keq. Mesazhi i dytë është një ndjesë në emër të Partisë Demokratike drejtuar së pari të përndjekurve politikë, për premtimet e pa përmbushura. Dhimbja është terapia më e mirë që të mos përsërisim të keqen. Le të jemi dhe sot një familje e përbashkët siç ishim 31 vite më parë, jo vetëm e demokratëve, sepse ky shesh nuk ishte i mbushur vetëm me demokratë, kishte dhe ish-anëtarë të Partisë së Punës, të cilët u bashkuan me demokratët për të shembur kultin e diktatorit. ”

Basha bëri dhe një premtim! “Të zotohemi që përmes veprimeve tona të mos e lejojmë më kurrë kultin e individit, as në mesin tonë, as mes shqiptarëve. Zoti na ka bërë të barabartë, detyra jonë është t’i japim mundësi të ecë përpara. Askush mes nesh nuk mund të jetë më Zot. Të shtyjmë përpara procesin e dekomunistizimit, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati, i shoqëruar nga disa deputetë demokratë dhe të rinjtë e Forumit Rinor të PD, u ka kërkuar që të mos e harrojnë të shkuarën dhe traumat që ka kaluar ky vend në mënyrë që të mos përsëritet më në të ardhmen. Basha tha se të rinjtë duhet të dinë se kulti i individit është shkatërrimi i çdo shoqërie duke ngritur një persona të zakonshëm e duke e bërë Zot.

“Besoj jemi të gjithë bashkë për të firmosur peticionin. Ndodhem këtu me rininë demokratike që shumica e konsideron një ditë të veçantë edhe për historinë e PD ku u rrëzuar simboli i diktaturës dhe shtatorja e Enver Hoxhës. Kjo ditë e veçantë i takon të gjithë shqiptarëve dhe është një ditë kremtimi të simbolik të diktaturës ndaj nuk duhet të harrojmë të themi gëzuar këtë ditë, gëzuar 20 shkurti të largimit të shijes së rëndë të diktaturës. Një falënderim për të gjithë ata që frymëzuan këtë akt të rrëzimit të simbolit të diktaturës që bëri lajmin e parë në të gjithë mediat botërore. Të rinjtë duhet të dinë se kulti i i individit shkatërron dhe ngre një person të zakonshëm që e bën Zot. Ky është shkatërrimi i të çdo shoqërie”, tha Basha.