Politikë

“Enver Hoxha Hitler i pasluftës”, Berisha: Rrëzimi i kultit të tij, kusht që opozita të ishte e vërtetë

“I shtypuri nuk mund të mendojë përtej kafshatës së gojës dhe mund të kontrollohet më mirë. Kulti i Enver Hoxhës u ngulit në thellësitë e qenies shqiptare jo përtej frikës, por izolimit të thellë e shkëputjes totale nga Europa e bota”. Kështu u shpreh në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ish-kryeministri Sali Berisha në një aktivitet në Qytetin Studenti.

Duke e konsideruar si formën më të egër të diktaturës atë të izolimit, Berisha tha se diktatura e Enver Hoxhës ishte diktaturë të trefishtë dhe rrëzimi i kultit të tij ishte kushti i të gjitha kushteve, që opozita të ishte e vërtetë.

“Enver Hoxha vendosi mbi shqiptarët një diktaturë të trefishtë, atë të luftës së klasave, të urisë dhe izolimit. Rrëzimi i kultit të Enverit ishte kushti i të gjitha kushteve, që opozita të ishte e vërtetë, që shqiptarët të ndiheshin njerëz të lirë dhe të rifitonin veten e tyre. Lëvizja studentore nisi aty ku nuk e priste regjimi, në Universitetin Bujqësor. Studentët e këtij universiteti nisën grevën kundër regjimit. Me shpejtësi studentët e Universitetit të Tiranës iu bashkuan dhe morën flamurin e kësaj proteste, për betejën finale. Të mbështetur nga PD nisën grevën e vetëflijimit, kapërcyen çdo përpjekje për manipulim. Ditë të cilat tronditën Shqipërinë.

Berisha kujtoi se më 20 shkurt të 31 viteve më parë në një gjyq popullor u përmbysën bronxet e e diktaturës hoxhiste, kurse bronxet e gjalla u fshehën në bunker, thotë Berisha, ku ndër ta ishte edhe Rama.

“PD bëri gjithçka më datën 20 shkurt ky shesh u bë sheshi i protestës më të fuqishme. Në një gjyq popullor masiv i prenë kokën njëlloj si francezët në Bastijë mbretit të tyre. Në një gjyq popullor zvarritën shtatoren ën rrugët e tiranës dhe e sollën gjer këtu. Bronxet e gjalla të diktaturës hoxhiste edhe ato do të përmbyseshin, u vërsulen si lepuj e minj bunkerëve përreth për të futur kokën e tyre. Një ndër ta është edhe kreu i Meduzës Edi Rama”.

Teksa e cilëson Enverin Hoxhën, Hitlerin e pasluftës, Berisha thotë se të kundërshtoje regjimin i hapje varrin vetes.

“Ne këtë ditë e kemi ditë të kujtesës kombëtare. Asnjë komb, asnjë popull nuk ka sakrifikuar s ane shqiptarët për liri e dinjitet njerëzor. Asnjë komb e popull nuk ka qëndruar më shumë se shqiptarët ndaj diktaturës hoxhiste të cilën me të drejtë kryetarët e partive të Europës e cilësuan Hitlerin shqiptar të pasluftës. Në vitet e pasluftës në Gjermaninë naziste të ishe opozitar, ishte të hapje me duart e tua varrin edhe Shqipëria e tillë ishte. Të kundërshtoje e kritikoje diktaturën ishte si të hapje me duart e tua varrin apo burgjet e kampin e përqëndrimit. Shqiptarët paguan një çmim tmerrësisht të lartë. Kasaphanën e luftës së klasave që mori dhjetëra mijëra jetë. Shqiptarët duhet ta dinë se aty janë varrosur njerëz të gjallë. Enver Hoxhën nuk e quajtën kot Hitlerin e pasluftës”.

Për Berishën, Partia Demokratike mbijetoi falë të përndjekurve dhe persekutuarve edhe pse nuk u krijua prej tyre.