Bota

2023 viti me temperaturat globale më të larta në 174 vite!

Viti 2023 ka shënuar rekorde të njëpasnjëshme të temperaturave ekstreme, përfshirë korrikun si muaji më i nxehtë në histori. Në një raport të zbuluar nga BBC, rreth një e treta e ditëve të këtij viti janë përballur me temperaturë mesatare globale me të paktën 1.5 gradë Celsius, më e larta në nivelet para-industriale. Qëndrimi për një kohë të gjatë nën këtë tregues konsiderohet gjerësisht thelbësor për të shmangur ndikimet më të dëmshme të ndryshimeve klimatike.

Viti 2023 është më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë që prej se kanë filluar matjet zyrtare të temperaturave globale. Temperaturat ekstreme, përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore që kanë shkaktuar kaos dhe kanë kushtuar jetë, e kanë dhënë alarmin tashmë.

Vlerësimet e shkencëtarëve të disa muajve më parë janë konfirmuar. 2023 ishte viti më i ngrohtë i 174 viteve të fundit. Edhe pas verës, temperaturat e larta nuk ranë, shtatori, tetori dhe nëntori shënuan temperatura të larta rekord. Pak para përfundimit të këtij viti, Shërbimi Meteorologjik Botëror dha alarmin duke nënvizuar të nxehtin ekstrem, rritjen e temperaturave në sipërfaqe të detit dhe rritjen e nivelit të ujërave në oqeane.

Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në nëntor temperatura e sipërfaqes globale ishte 1.4 gradë mbi nivelet para-industriale. Po ashtu, temperaturat këtë vit ishin 0,3°C më të larta se viti më i ngrohtë i mëparshëm, 2016. Fenomeni El Niño në Paqësor si dhe ndryshimet klimatike kontribuan në rezultatet alarmante. I gjithë 2023-shi ka prekur ekstremitete të ndryshme të motit, përfshirë vapën e rëndë dhe stuhitë e përmbytjet katastrofike, që i kanë marrë jetën dhjetëra personave. Në këtë vit nuk kanë munguar as zjarret masive, që po ashtu mbeten të favorizuara nga temperaturat e larta.