Aktualitet

4 viktima në Liqenin e Banjës, shefi i zjarrfikësve Gramsh: Mos hyni nëse nuk dini not, ka gropa të rrezikshme!

“Liqeni i Banjës ka gropa të rrezikshme dhe njerëzit që nuk dinë not, nuk duhet të hyjnë fare në ujërat e tij”. Ky është apeli i Ilir Llapushit, shefit të zjarrfikëses në Gramsh, pas ngjarjes tragjike të një dite më parë me katër të mbytur, të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje.

Llapushi vuri në dukje se pranë liqenit nuk mund të ketë roje, pasi nuk është për t’u larë si në plazh, edhe pse tha se në ditët e tjera ka patur patrulla të zjarrfikësve në zonë.

Ngjarja është shumë e rëndë, babai me dy djemtë e tij kanë shkuar për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. U mbyt i pari, ka shkuar për t’i ndihmuar i dyti, të tre s’kanë ditur not. Edhe i katërti, djali tjetër nuk ka ditur not e kanë mbytur njëri-tjetrin.

Fatkeqësisht, këtu ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e HEC-it të Banjës, kanë marrë dhe’ e këputen menjëherë. Kur janë futur për t’u larë, ata nuk e kanë ditur. Ranë direkt te gropa e kanë tërhequr njëri-tjetrin. Liqeni është i thellë i gjithi, nuk mund të vësh tabela informuese.

Faktikisht, liqeni nuk është për t’u larë, nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ne si zjarrfikës e patrullojmë dhe dje në darkë vonë (të enjten) këtu kemi qenë se kemi një gomone që patrullojmë vazhdimisht, bëjmë dhe mësime treguese.

Fatkeqësisht sot (e premte) nuk erdhëm e qëlloi keq për ta e për familjet e tyre.

Nuk është plazh këtu që të ketë roje, këtu nuk lahet njeri fare. Një njeri që nuk di not nuk duhet të futet, sidomos nëpër liqene që janë të rrezikshme, absolutisht jo!

Në liqenin e Banjës në Gramsh, hynë për t’u larë, por nuk mundën të dilnin më gjallë Gazment Zogu 46-vjeç me dy djemtë e moshave 14 e 19-vjeç dhe nipin 20-vjeç, të gjithë nga fshati Cingar.