Rajoni

Miratohet vaksinimi kundër COVID-19 për fëmijët mbi 5 vjeç

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se ka miratuar dhënien e vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç.

“Pas sigurimit ditë më parë dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës”, shkruhet në njoftim.

Deri më tani në Kosovë lejohej vaksinimi vetëm për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç.

Ndërkohë po vazhdon vaksinimi i të gjitha grupmoshave. Grupmoshat mbi 60 vjeç mund të marrin vaksinën e katërt me kushtin që të tretën ta kenë marrë katër muaj më parë.

Fëmijët mbi 12 vjeç mund të marrin dozën e parë, të dytë dhe të tretë.

Në 24-orët e fundit janë shënuar 871 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, ku fatmirësisht nuk janë regjistruar viktima.

MSH tha se, në bazë të 2 mijë e 376 mostrave të testuara gjatë 24 orëve, 36.65 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Aktualisht, janë 3,263 raste aktive me koronavirus në Kosovë.

Numri i rasteve me koronavirus në Kosovë ka nisur të rritet në gjysmën e dytë të qershorit.

Muajt e pranverës kanë qenë kryesisht të qetë sa u përket infektimeve – ka pasur ditë me zero raste. Shkalla e infeksionit është në rritje edhe në vende të tjera të Ballkanit dhe më gjerë