Sport

“Abissnet Superiore”, sot dhe nesër luhen 4 ndeshje të Javës së 28-të/Anulohet Kastrioti-Bylis!

Anulohet Kastrioti-Bylis, ndeshje e planifikuar të niste sot në orën 15:00. Siç bën të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, shkak u bënë kërcënimet me jetë ndaj arbitrave. Ngjarja po hetohet.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës nuk do të zhvillohet.

Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme.

Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.

Në “Abissnet Superiore” është momenti i fazës së fundit, me ndeshjet e Javës së 28-të që luhen sot dhe nesër. Në orën 18:00 në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia dhe Erzeni do të jenë  në një garë për të mbajtur gjallë ëndrrën me emrin “Europë”. Shkodranët me trajnerin e ri, Goce Sedloski vihen përballë shijakasve që luajnë një futboll të hapur dhe pa komplekse e që deri tani kanë dhuruar jo pak surpriza.

Në të njëjtën orë, pra po më 18:00, në “Niko Dovana” të Durrësit do të luhet sfida mes Teutës e Laçit, ku në lojë është mbijetesa apo më saktësisht zona play out. Fitorja do të ishte mjaft e rëndësishme për secilin ekip.

Ndërkohë, nesër do të zbresin në fushë Egnatia dhe Partizani, në ora 15:00. Thënë ndryshe skuadra e vendit të tretë me atë të vendit të parë. Java e 28-të e Superiores mbyllet në orën 18:00 të 10 prillit me duelin mes Tiranës dhe Kukësit.