Sport

Shorti i Kupës së Shqipërisë, ja ndeshjet çerekfinale!

Hidhet shorti i fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Tetë skuadrat e kualifikuara ishin të ndara në dy vazo dhe goglat dhuruan përballje interesante. Teuta do të sfidojë Tiranën për një vend në gjysmëfinale, ndërsa Partizani do të përballet në një sfidë të dyfishtë me Kukësin. Laçi-Egnatia dhe Erzeni-Vllaznia janë dy sfidat e tjera çerekfinale.

Faza çerekfinale do të luhet me sistem vajtje-ardhje dhe ndeshjet e para do të luhen në datat 20 e 21 shkurt, ndërsa takimet e kthimit, më 5 dhe 6 mars.

Kupa e Shqipërisë-Çerekfinalet

Teuta-Tirana

Kukësi-Partizani

Laçi-Egnatia

Erzeni-Vllaznia

Në një tjetër zhvillim, java e 22-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet në fundjavë. Tre takime janë të programuara për t’u zhvilluar të shtunën dhe dy të dielën. Sfida hapëse e javës do të jetë Kukësi – Tirana, në “Kukës Arena” duke nisur prej orës 13:30.

Në të njëjtën ditë do të luhen edhe dy takime të tjera në orën 16:00. Në “Arenën e Demave” Partizani do të përballet me Egnatian, sfida mes vendit të parë dhe të dytë në “Abissnet Superiore”. Të kuqtë do të kërkojnë të rikthehen te fitorja, ndërsa në anën tjetër rrogozhinasit do të tentojnë të regjistrojnë triumfin e katërt radhazi në “Abissnet Superiore”, për të thelluar akoma më shumë diferencën në renditje.

Ndeshja tjetër që do të luhet në të njëjtën orë është ajo mes Teutës dhe Skënderbeut. Durrsakët ende nuk e kanë regjistruar triufmin e parë për këtë vit në “Abissnet Superiore” dhe do të kërkojnë të fitojnë në “Niko Dovana” ndaj Skënderbeut. Në anën tjetër, korçarët duan vazhdimësinë pas triumfit në “Air Albania” ndaj Tiranës.

Të dielën do të luhen edhe dy takimet e fundit, në orën 13:30. Laçi do të presë Vllazninë, ndërsa Erzeni do të përballet me Dinamo City-n.

Ndërkaq, disa orë pas largimit të Stavri Nicës, Kukësi prezantoi trajnerin e ri. Emiljano Çela do të jetë tekniku i ri i verilindorëve. Në krye të pankinës së Kukësit do të debutojë në ndeshjen e fundjavës kundër Tiranës. Me ndihmësin e tij, Alfred Allamani, Çela u prezantua para skuadrës dhe nisën seancën e parë stërvitore në krye të Kukësit. Në njoftim theksohet:

Emiljano Çela do jete trajneri i ri i ekipit! Se bashku me asistentin e tij Alfred Allamani do fillojne pergatitjen per ndeshjen kundra Tiranes! Suksese Emiljano!