Aktualitet

Aksident i katërfishtë në Bulqizë, i gjashti për sot/Vendi ku ndodhi njihet si problematik!

Një aksident i katërfishtë u shënua në Bulqizë, i gjashti për sot, por fatmirësisht pa të lënduar. Një furgon u përplas me tre makina të tjera, në unazën e lagjes “Gjeologu”. Drejtuesi humbi kontrollin e goditi bordurën anësore para se të përplasej me tre automjetet e tjera.

Jo në pak raste, në këtë unazë është ngritur problematika e lëvizjes së makinave me shpejtësi tej normave të lejuara, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Më herët gjatë ditës, në rrugët e vendit nga veriu në jug, moti i keq me reshje shiu u bë shkak për pesë aksidente me dhjetë të plagosur, një në gjendje më të rëndë. Si pasojë e lagështirës, një shtetas nga Kosova u lëndua në autostradën Kukës-Morinë. Duke drejtuar automjetin tip bot me çimento rifuxho, 44-vjeçari humbi kontrollin e për pasojë makina iu përmbys. Ai u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Në fshatin Shelq të Shkodrës, në një aksident të shumëfishtë u plagosën tre persona, siç mësohet, një në gjendje të rëndë. Në Elbasan, një makinë përplasi drejtuesin e një motori, i cili mori dëmtime. Ndërsa shoferi u largua nga vendi i ngjarjes, i lënduari mori ndihmën e parë mjekësore. Ndërkohë, në vendin e quajtur Qafa e Lalarit në aksin Fier-Mallakastër u përplasën dy makina dhe u plagosën drejtuesit e një pasagjer. Që të tre u dërguan në spital. Paraprakisht, dyshohet se shkak për aksidentin mund të ketë qenë lagështira në rrugë nga shirat.

Më në jug të vendit, një aksident u regjistrua sot në aksin Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Luzat” ku u përplasën dy makina “Dacia” e “Seat”. Të plagosur mbetën drejtuesi i automjetit “Dacia” dhe pasagjeri i “Seat”-it. Të lënduarit u transportuan në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.