Rajoni

Aksidenti në Kroaci ku humbën jetën 10 kosovarë, arrestohet shoferi i autobusit!

Pak orë pas aksidentit tragjik në Kroaci ku një autobus me kosovarë që udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë doli nga rruga, autoritetet kroate arrestuan shoferin. Ai dyshohet për drejtim të automjetit jo në mënyrën e duhur ndërsa vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet. Mësohet se gjatë dëshmisë pranoi se ishte përgjumur në një moment.

Në aksidentin e regjistruar rreth orës 06:20 të mëngjesit në Sllavonski Brod, humbën jetën 9 pasagjerë dhe një shofer pasi autobusi kishte dy drejtues. Gjithashtu u plagosën 44 persona, 15 prej tyre në gjendje më të rëndë. Autobusi që përfundoi jashtë rruge përshkonte linjën Frankfurt-Prishtinë.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë konfirmoi bilancin e se bëhet fjalë për shtetas të Kosovës që udhëtonin nga Frankfurti i Gjermanisë për në Prishtinë.

Ministria doli edhe me një deklaratë:

Qeveria e Kosovës angazhohet të ndihmojë qytetarët e lënduar dhe të tjerët, në të gjitha procedurat e nevojshme. Shërim të shpejtë të plagosurve!

Në automjetin që doli nga rruga udhëtonin 67 persona krahas dy drejtuesve. Në autobus gjendeshin 15 të mitur e një prej tyre, një vajzë mori plagë të rënda.