Rajoni

Aksidentohet autobusi me targa të Kosovës në Austri, 19 të plagosur!

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua sot në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri, 19 persona u plagosën. Paraprakisht, raportohet se tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa 16 të tjerë, morën lëndime më të lehta. Sipas fotove të publikuara nga mediat austriake, automjeti i përket kompanisë “Armend Tours”.

Aty udhëtonin 25 pasagjerë. Menjëherë në vendngjarje shkuan vullnetarë, punonjës të Kryqit të Kuq e të ndihmës së parë. Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit në një autostradë nga Salzburgu për në drejtim të kryeqytetit austriak Vjenë.

Nga hetimet paraprake, rezulton se autobusi u përplas me mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet janë të paqarta dhe po punohet për t’i sqaruar.

Komandanti i policisë rajonale, Herman Gerstgraser konfirmoi se të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin shtetëror në Salzburg. Autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Hanover të Gjermanisë. Vendi ku ndodhi aksidenti u mbyll për qarkullimin e makinave e autobusi nuk do të spostohet nga vendngjarja pa u mbyllur të gjitha procedurat në kuadër të veprimeve hetimore.