Aktualitet

Aksion policor në Lezhë, në pranga disa persona!

Policia e Lezhës ka ndërmarrë një aksion policor, në hyrje të qytetit, ndërsa mësohet se nje 27-vjecar ka rënë në pranga.

Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që lëvizte me automjet nga Miloti, në drejtim të Lezhës, posedonte lëndë narkotike kokainë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip ” BMW”.

Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet duke përplasur automjetet e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Shërbimet e Policisë kanë arritur të ndalojnë dhe neutralizojnë mjetin me drejtues shtetasin Sh.V., dhe kanë ushtruar kontroll ndaj automjetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.V., 27 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.