Aktualitet Politikë

Akuzat e Nokës, Basha: “Ju tregoj llumin!

Dje i komunikoi shkarkimin nga posti i zv.kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, sot Lulzim Basha kishte disa akuza shumë të forta për deputetin Flamur Noka, pjesë e grupit të Berishës. Në një prononcim për gazetarët, kreu demokrat bëri të ditur se Nokës i komunikoi shkarkimin, nuk e ka përjashtuar, por e paralajmëroi.

Nuk mundet PD që ka kundërshtar dhe armik Ramën e regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje e keqinformime që i devijojnë nga detyra kryesore: lufta ndaj  regjimit. Kemi lançuar aksione të shumta për të zhbërë regjimin Rama-Doshi e s’mund të mbetemi peng i interesave personale që kërkojnë ta kthejnë PD-në në bunker.

Dje, Flamur Noka dhe Lulzim Basha patën debate të forta në mbledhjen e Kryesisë së Grupit. Noka akuzoi kryedemokratin se ka më të shtrenjtë fatin e karriges së tij se të PD-së. Sipas deputetit, “Basha e cilësoi “llum” anëtarësinë e PD”-së.

Por për kreun demokrat, vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së, ka qenë pikërisht “për të shmangur çdo tollovitje dhe mundësi përçarje”.

Kush është llumi i qeverisjes, jua them unë tani. Pra, fraza të dala indirekt apo dhe këtu nga kjo foltore, nga këta shkalë të Partisë Demokratike që janë sajesa dhe shpifje, i shërbejnë Edi Ramës. Ato bëhen për të demoralizuar demokratët, ndërkohë që e gjithë beteja jonë është mos të shkelmojmë mbi sakrificën e demokratëve, për interesat e askujt. Kjo është arsyeja pse më 9 shtator mora një vendim, në përputhje të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Partisë Demokratike, për të shmangur çdo tollovitje e mundësi përçarjeje që i shërben Edi Ramës, të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij.

A ka patur llum në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike? Padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dal dot ta pastrojmë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama, janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës apo promovuar nga Edi Rama. Që këto para’ të vëna me praktika korruptive, gjatë kohës që qeverisnim ne, t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e Partisë Demokratike se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme!