Rajoni

Kurti paralajmëron: Anulim i disa vendimeve të qeverisë në largim!

Fituesi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë deklaroi se nuk do të ketë përparësi të qeverisjes bisedimet me Serbinë. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, saktësoi se nuk dëshiron të evitojë procesin, por fokusi do të jetë te puna për të sjellë drejtësi dhe punësim për qytetarët e Kosovës. “Dhe, natyrisht, që është urgjente të merremi me pandeminë” u shpreh Albin Kurti.

Ndër synimet e para të Qeverisë së ardhshme, ai renditi projektligjin për emigrantët, që të kenë të drejtë të votojnë në ambasada e konsullatat, konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë antimafia.

“Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë, që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata; gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia; duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet”, tha Kurti, duke paralajmëruar edhe anulimin e disa vendimeve të Qeverisë në largim.

Sa i përket trajtimit të pandemisë së koronavirusit, Kurti tha se “synimi do të jetë alokimi i fondeve, programacioni i prioriteteve për shtresat shoqërore për vaksinim të rreth 60 për qind të popullsisë në këtë vit në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.