Rajoni

Albin Kurti vijon vizitën në Bruksel

Në vijim të vizitës në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Kurti theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në Kosovë.

Në një postim në Twitter shkruan:

NATO është aleanca më e mirë e sigurisë që ka parë bota. Në takimin me sekretarin Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të ruajtur paqen e për të ofruar siguri. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Europën më të sigurt.

Gjatë ditës, Albin Kurti do të takojë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, eurokomisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyi si dhe kryediplomatin europian Josep Borrell.

Në të parën vizitë në Bruksel si kryeministër i Kosovës pasi fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti merr pjesë edhe në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian.

Gjithashtu informoi mbi bisedën me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë, të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura e jo të krijojë çështje të reja.