Aktualitet Art & Kulturë Music

Albina dhe Familja Kelmendi çojnë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovision 2023!

Albina dhe Familja Kelmendi çojnë Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2023. Albina dhe Familja Kelmendi i sigurojnë një vend dhe një shpresë më shumë për të qenë krah shteteve të mëdha që marrin pjesë në Eurovision 2023. “Duje” ishte e para nga 10 këngët që u kualifikuan në finalen e madhe.

Të gjitha komentet mbi vokalin, mesazhin e këngës për një familje të bashkuar të Albinës kanë qenë shumë pozitive nga ndjekësit, si edhe më gjerë.

Kush shkon në finale me Shqipërinë

Dje në natën e dytë gjysmëfinale u zgjodhën 10 shtetet e tjera finaliste nga 16 që morën pjesë në garë. Krahas Shqipërisë, janë edhe Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia e Sllovenia

Ndërkaq, në gjysmëfinalen e parë, 10 vendet që u kualifikuan ishin Kroacia, Moldavia, Zvicra, Izraeli, Finlanda, Çekia, Portugalia, Suedia, Serbia e Norvegjia.

Finalja e madhe do të mbahet më 13 maj, pra nesër, në M&S Bank Arena në Liverpool të Britanisë së Madhe. Vitin e kaluar, Festivalin Europian të Këngës e fitoi Ukraina, por pushtimi rus që vazhdon prej më shumë se një viti e bëri të pamundur mbajtjen e edicionit të këtij viti atje. Për këtë arsye, organizimi iu besua Britanisë së Madhe.

“Përgatitjet e Eurovision-it për një kërcënim të mundshëm kibernetik nga Rusia janë optimale dhe organizatorët ndihen shumë të sigurt”. Këtë vlerësim dha drejtori menaxhues i festivalit europian të këngës në BBC. Transmetuesi ka punuar me ekipin e specializuar të Bashkimit Europian të Transmetuesve dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike që përpara se të niste Festivali.

Njerëzit në Rusi janë të ndaluar të votojnë në garën e këtij viti për shkak të sanksioneve financiare ndaj vendit duke e bërë të pamundur që të paguajnë tarifën e votimit. Rusisë iu ndalua të konkurronte në garë vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës.

Por, për herë të parë në historinë gati shtatë dekadëshe të konkursit, njerëz nga vende jashtë konkursit janë në gjendje të votojnë për këngën e preferuar këtë vit. Votat iu konvertohen në pikë që kanë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës duke lejuar potencialisht disa qytetarë rusë të ndikojnë në votim.