Aktualitet

Aleanca për Teatrin akuza ambasadorit Soreca, Delegacioni i BE-së: “Shpifje!”

Aleanca për Teatrin akuzon ambasadorin Luigi Soreca se po lobon në Kushtetuese pro kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për çështjen e shembjes së Teatrit.

Akuzat ndaj kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë i artikuloi përfaqësuesja e Aleancës, Adriana Kalaja.

Anëtarë të Aleancës për Teatrin, të cilët punojnë tek bizneset e godinës së Gjykatës Kushtetuese konstatuan se ditën e mbajtjes së seancës, Luigi Soreca zhvilloi një takim jopublik me kreun e Gjykatës më 16 qershor dhe më pas doli nga dera e pasme. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e dimë përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance. Kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim pati interes publik dhe kemi kërkuar të bëhet publike se çfarë u diskutua.

Fakti që ambasadori u largua nga dera e pasme e godinës, për ne cënon shumë legjitimitetin e kryetares së Gjykatës dhe pavarësinë, ndërkohë që kanë kryer këtë takim pa e bërë publik për mediat.

Kemi informacion se Soreca ka ardhur për të lobuar pro kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se do e lëmë të kalojë aq lehtë!

I kemi kërkuar SPAK-ut të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese! Nëse do të jetë e vërtetë ajo që ne pretendojmë do të kërkojmë që kryetarja të largohet vetë nga trupi gjykues, në të kundërt, ne do të kërkojmë përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Po bëjmë gati gjithë informacionin do ja bëjmë të ditur BE-së, sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese!

Ne po bëjmë gati dokumentacionin e do të kallëzohet edhe penalisht, por do t’i bëhet e ditur edhe BE-së. Ne do të ndërmarrim gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata!

Delegacioni i BE-së në Tiranë që kryesohet nga Soreca hodhi poshtë si “shpifje” pretendimet e Aleancës.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht e në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media!