Aktualitet Politikë

Alibeaj: “Të mos marrim pjesë në raundin e tretë të votimit për presidentin!”

Enkelejd Alibeaj sugjeron që demokratët të mos marrin pjesë në raundin e tretë të votimit në Kuvend për Presidentin. Sot në mbledhjen me deputetë, kreu i grupit tha se “nuk ka arsye”, pasi “u thye marrëveshja”. Ishte rënë dakord që opozita të propozonte emra për në raundin e dytë e të tretë. Por, demokratët akuzojnë socialistët se ndryshuan qëndrim. Dy raundet e para u ezauruan pa emra e duket se kështu do të jetë edhe për të tretin, që gjithashtu kërkon shumicë të cilësuar.

Për mbledhjen e sotme të grupit demokrat reagoi Berisha. I zgjedhur më 22 maj në krye të Selisë Blu, me votat e anëtarëve, i tha gazetarëve se “Alibeaj nuk ka asnjë tagër nga PD”. “Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit nga Edi Rama për të kapur opozitën”, u shpreh Berisha. Ndërkohë, deklaroi se “dënon pikëpamjen për konsiderimin e emigracionit dhe të diasporës si zonë e veçantë elektorale”.

E paralajmëroj Ramën, mos të luajë me liritë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë në të katër anët e botës. Ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për kandidatët e qyteteve apo zonave të tyre të origjinës. Sot teknologjia online e bën 100% të mundshme. Çdo përpjekje e Edi Ramës që shprehu nëpërmjet veglës së tij, Alibeaj për një zonë të veçantë për emigracionin është një përpjekje e mirëfilltë antidemokratike, antishqiptare. Eshtë një fyerje e madhe që u bëhet emigrantëve dhe diasporës shqiptare në katër anët e dheut. Kjo do të hasë në një rezistencë mbarëkombëtare.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi reagoi sot në rrjetet sociale në lidhje me miratimin e Kodit Zgjedhor për votimin e emigrantëve. Celibashi vlerëson rolin e partive politike për të kontribuuar, por thekson nevojë e dakordësisë mes palëve.

Kontributi i partive politike për të mundësuar votimin nga jashtë është i rëndësishëm. Do të duhet të dakortësohemi të gjithë për rregullat që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve me vendbanim jashtë Shqipërisë, me procedurat dhe mënyrën e votimit, llogaritjen dhe tabulimin e rezultatit. Pak a shumë do të na duhet të miratojmë një Kod Zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Dhe ne të gjithë e dimë që kjo nuk është një gjë e thjeshtë në Shqipëri!