Aktualitet Bota

Ambasadorja franceze: Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në BE!

Ambasadorja franceze në vendin tonë, Catherine Suard është shprehur se Parisi zyrtar mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Diplomatja Suard theksoi se presidentit Emannuel Macron gjatë vizitës së fundit në vendin tonë ka shprehur mbështetjen e Francës për Shqipërinë, duke shuar se “po punojmë për këtë”.

Por, theksoi ajo, “Shqipëria duhet që të bëjë përmirësime të mëtejshme, të vazhdueshme dhe të shpeshta”.

“Ju i referoheni ngjarjeve të shkuara por dua t’ju them se Franca nuk është se ka bllokuar procesin e integrimit të BE në Shqipëri por ka kërkuar një qasje për një metodologji të re. Do doja të përmendja vizitën e Macron në Shqipëri së fundmi dhe ai gjatë gjithë vizitës së tij ka përmendur mbështetjen e Francës për Shqipërinë sa i përket integrimit në BE.

Gjatë këtij mandati që sapo e kam filluar jemi në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe po punojmë për këtë. Dëshiroj të nënvizoj edhe vizionin që kemi për Europën, për një Europë të fortë dhe normalisht edhe një Shqipëri të fortë. Shqipëria duhet që të bëjë përmirësime të mëtejshme, të vazhdueshme dhe të shpeshta”, tha ambasadorja franceze.

Gjithashtu, ambasadorja franceze gjatë një vizitës në Shkodër ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi klimën e tensionuar politike në vend.

“Dëgjova fjalën politikë dhe preferoj që të mos përgjigjem. Nuk është normale për mua në këtë kuadër që të komentoj politikën”, tha Catherine Suard, pasi u pyet nëse është pjesë e grupit të ambasadorëve që po negocion me palët për t’i bindur që jeta parlamentare ti rikthehet normalitetit.