Rajoni

Amerika përsërit qëndrimin për shtyrjen e zbatimit të rregullores mbi përdorimin e euros në Kosovë!

Amerika insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, që euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë, duke nxjerrë jashtë loje dinarin serb. Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt. Pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori amerikan Jeff Hovenier u pyet për veprimet e pritshme nga Uashingtoni nëse Prishtina nuk i përgjigjet kësaj kërkese. Hovenier shfaqi shpresën që qeveria të jetë partnere me ta. Në të kundërt, paralajmëroi:

Kjo do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë! Ne natyrisht që përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, larjen e parave, financimin e terrorizmit e të tjera si këto, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve.

Hovenier ka vënë në dukje se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, Amerika beson që duhet të ketë një periudhë edukuese për rregulloren e re.

Kur u pyet lidhur me reagimin e qeverisë për kërkesën e tij e të faktorit ndërkombëtar, Hovenier theksoi se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.

Hovenier, Bashkimi Europian e të tjerë mekanizma e kanë kritikuar prej disa ditësh Qeverinë e Kosovës për mosshtyrjen e zbatimit të rregullores.

Për dinarin

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që prej kohës së pasluftës. Përmes një sistemi paralel, Serbia u paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, ndihmat sociale, si dhe përfitimet e tjera. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia. Ky vend ka ndarë 139 milion euro për serbët në Kosovë për vitin 2024, rreth 11 milion më shumë se në vitin e kaluar.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si përpjekje për dëbimin e serbëve nga Kosova. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç është zotuar se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili e përmendi ditë më parë integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores. Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, si dhe e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”.

Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.