Bota

Amerika urdhëron largimin e familjarëve të stafit diplomatik në Ukrainë!

Shtetet e Bashkuara urdhërojnë largimin e familjarëve të punonjësve në ambasadën e Uashingtonit në Kiev. Të gjithë qytetarët amerikanë duhet ta konsiderojnë largimin nga Ukraina për shkak të kërcënimit të veprimit ushtarak nga Rusia. Sipas Departamentit të Shtetit, “Qeveria nuk do të jetë në gjendje të evakuojë shtetasit amerikanë në Ukrainë, ndaj ata duhet të planifikojnë largimin”. Këto cilësohen masa paraprake, të kujdesshme, që nuk minojnë mbështetjen apo angazhimin e Amerikës për Ukrainën.

I pyetur nëse urdhri për largimin e familjarëve të stafit të ambasadës nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara mendonin se Kievi mund të jetë në rrezik, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u përgjigj se “SHBA-të po përpiqen të veprojnë me maturi.

Ne nuk po themi se e dimë se (një pushtim) do të ndodhë. Askush nga ne nuk e di se çfarë do të vendosë presidenti Putin e në të njëjtën kohë që ne po bëjmë këtë planifikim e po ndërmarrim masa të kujdesshme, vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për zgjidhjen e situatës në rrugë diplomatike.

Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar shtetet e NATO-s për përshkallëzimin e tensioneve në lidhje me Ukrainën, edhe pasi kryediplomatët e SHBA-ve e Rusisë, ranë dakord më 21 janar, që të vazhdojnë të punojnë për uljen e tensioneve.

Kremlini mohon se ka plane për të pushtuar Ukrainën, por po kërkon kushte dhe garanci se NATO nuk do të zgjerohet në drejtim të lindjes, veçanërisht në Ukrainë. Po ashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar amerikanët, të mos udhëtojnë për në Ukrainë, për shkak të rritjes së tensioneve.

Amerikanët mund të përballen me ngacmime dhe Ambasada Amerikane në Moskë do të kishte “aftësi të kufizuara” për t’i ndihmuar. Një ditë më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken hodhi poshtë thirrjet për vendosjen e sanksioneve parandaluese ndaj Rusisë, pasi një veprim i tillë do të minonte aftësinë e Perëndimit për të penguar Moskën nga çdo agresion i mundshëm kundër Ukrainës.