Aktualitet

Amnistia fiskale, rezerva për draftin nga Dhoma Amerikane e Tregtisë e opozita!

Draftligji i ri për amnistinë fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka rezerva. Kryetari Enio Jaço:

Ne e dimë që ka pasur një draft së fundmi që është futur në konsultimin publik. Ne duam pak më tepër kohë për ta analizuar plotësisht. Megjithatë opinioni i tanishëm është që ndryshimet nuk janë esenciale nga drafti i mëparshëm. Problemi që kemi pasur ne, si parim kryesor, ka të bëjë me mundësinë që krijon për pastrimin e parave dhe evazionin fiskal. Ky është një problem që e kanë shumë partnerë ndërkombëtarë. Nëse ky ligj ka marrë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, strukturave si FMN, BE dhe Moneyval, atëherë edhe ne do të ishim mbështetës. Shqetësimet tona vijojnë të jenë si më parë në lidhje me këtë ligj. Problemi tjetër është ai i konkurrencës së pandershme.

Sa i përket draftit, opozita ngre gishtin e akuzës për kryeministrin Rama. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo:

Ky ligj ndonëse paraqitet sikur po lehtësohen emigrantët në të vërtetë, ai ka si synim:

Së pari, larjen e qindra miliona eurove nga Rama dhe ministrat e tij, të vjedhura në tendera e prokurime publike, të bëra në trafiqe kriminale e të vendosura në llogaritë off-shore, ose në emra fonio për të fshehur veten pas tyre.

Së dyti, ligji nuk ka asnjë lidhje me punën në të zezë të emigrantëve tanë, por lidhet direkt me larjen e miliarda euro para droge e krimi të bandave të lidhura me qeverinë, dhe që bëjnë ligjin në narkoshtetin e Edi Ramës.

Së treti, emigrantët po përdoren vetëm si fasadë! Kjo amnisti nuk është për emigrantët e ndershëm, por për të besuarit e Ramës, klientelën dhe investitorët e tij strategjikë, të privilegjuarit e tij.

Si përfundim, PD dënon me ashpërsinë më të madhe këtë amnisti fiskale si një akt kriminal që realizohet për botën e krimit qeveritar dhe fut Shqipërinë në listën e zezë për larjen e parave të pista. Kjo amnisti shndërron zyrtarisht Shqipërinë në mega-lavatriçen gjigande të parave të krimit në Europë. Ajo është e rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe duhet anuluar menjëherë.