Aktualitet Politikë

Arrestimi i Ahmetajt, sot seanca e Kuvendit për kërkesën e SPAK-ut!

Sot në orën 10:00 zhvillohet seanca e posaçme për vlerësimin e kërkesës së SPAK-ut lidhur me arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj. Vendimin e mori Konferenca e Kryetarëve. Kërkesa për të zhveshur nga mandati dhe imuniteti Ahmetajn, me qëllim arrestimi, dje dominoi seancën plenare, duke prodhuar debate të forta.

Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së ngulmoi që në seancën e djeshme të diskutohej e votohej pa asnjë vonesë kërkesa e SPAK-ut.

Eshtë ajo që Dumani tha në mbledhje. Prej një jave, Arben Ahmetaj me fuqinë si deputet, ish-ministër, ish-zv.kryeministër ka intimiduar dhe ka tentuar të prishë prova. Prokuroria kërkon arrestimin e menjëhershëm për të shmangur prishjen e provave. Këta zotërinj duan t’i japin kohë Ahmetajt të prishë prova, të negociojë me Ramën.

Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin kërkoi mos-politizimin e çështjes.

Në raport me kryeministrin Rama, nuk ka asnjë gojë, as argument që mund ta bëjë pis në raport me drejtësinë. Ju sulmoni institucionet e drejtësisë dhe i bëni të kompleksohen. Uroj që ata të mos kompleksohen, por të bëjnë punën me drejtësi.

Ndërkohë, deputetët mbështetës të Berishës iu rikthyen bllokimit të foltores. Në debate u përfshinë dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Manja: Heshtja jonë ka të bëjë me respektin për drejtësinë, por jo për respektin e kësaj pjese sepse kur të mbërrijë puna për të na bërë moral për ndershmërinë, politikën, e drejtësinë një pjesë e juaja, ky është fundi i parlamentarizmit. Mos e merrni heshtjen tonë për dobësi, heshtja jonë është respekt për drejtësinë dhe ligjin!

Tabaku: Qeveria u bë avokate e tre personave në kërkim ndërkombëtar. Eshtë minimumi që qeveria të japë llogari, turp që i keni dalë për zot një afere korruptive!

Ish-ministri Damian Gjiknuri kundërshtoi pretendimet e publikuara në media se edhe për të, SPAK-u kishte fakte se Klodian Zoto i pagoi biletat e udhëtimit e rezervimet e hoteleve, njësoj si për Arben Ahmetajn.

Kam zhvilluar vetëm udhëtime pune të paguara nga ministria.