Aktualitet Politikë

Basha: Graduat pushkatarët/Manja: Vendosëm SPAK-un në gojën e shqiptarëve!

Sot në sallën e Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ripërsëriti kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe për vetting-un e politikanëve. Duke replikuar me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Basha u shpreh se “Amnistia Penale nuk amnistoi qytetarët e thjeshtë, por të korruptuarit”.

Unë kam kërkuar heqjen e imunitetit tim këtu dhe i jam nënshtruar ndjekjes penale për 2 vjet e jam gati t’i nënshtrohem edhe për 40 vite të tjera. 21 Janari, a nuk i graduat ju dhe iu dhatë pasuri pushkatarëve? A nuk i puthët ju dhe iu vutë në fron sebepin e 21 Janarit? Pse duhet të prisnit Strasburgun?

Duke iu drejtuar Manjës, Basha kërkoi sqarime pse janë amnistuar të korruptuarit.

Dhe vazhdon me ndjekje penale të mbash prindërit e fëmijëve që u lëshove gaz për t’i nxjerrë nga shtëpitë e tyre, sepse u ngritën në protestë.

Ministri Manja u kundërpërgjigj duke thënë se maxhoranca ka meritë të madhe për sa kohë arriti të vendosë në gojën e shqiptarëve fjalën SPAK.

Ndryshe nga ti, që të tutë thonë se edhe kur pyetesh për orën gënjen, këta të mitë nuk e thonë për mua se atë ditë që do e thonë, unë iki nga politika. Unë jam gati, po ti, a je gati që të shkojmë të dy bashkë atje? Të tjerat janë retorikë politike. Drejtësia flet me fakte. Je gati të shkojmë atje? Kjo maxhorancë ka meritën e madhe që vuri në gojën e shqiptarëve fjalën SPAK, një realitet i pamohueshëm për drejtësinë shqiptare.

Në një prononcim për gazetarët para nisjes së seancës parlamentare, Basha theksoi se diskutimet mbi të cilat duhet të fokusohet politika, janë propozimet që ai ka bërë për vetingun e politikanëve apo mbështetjen e SPAK-ut.

Nuk besoj se shpallje të tilla paraelektorale përbëjnë bazë për një diskutim serioz. Diskutime serioze bëhen mbi dokumente serioze siç është propozimi për vetingun e politikanëve, heqja e imunitetit të deputetëve, forcimi i SPAK-ut. Serioz është propozimi ynë për Reformën Zgjedhore me 4 shtylla, vota e diasporës, votimi e numërimi elektronik, Shqipëria një zonë zgjedhore.

Me propozimin për vetingun e politikanëve, që mesa duket pas 6 muajsh duan ta fusin në diskutimet e parlamentit, pa dyshim që nëse PS-ja do të votojë diçka të tillë, bashkëpunimi duhet të jetë bipartizan. PD-ja do të jetë e gatshme në çdo moment të punojë për interesin publik në mënyrë transparente.

Rezoluta? Nuk ka nismë, është një deklaratë qesharake që nuk i shkon një qeverie. Të vetmit që kanë bërë propozime gjithëpërfshirëse dhe transparente, jemi ne. Interesi publik është që politikanët t’i nënshtrohen hetimit të pasurisë.