Aktualitet

Arrestohen mashtruesit e të huajve në Korçë!

Dy të arrestuar në Korçë për mashtrim,  dyshohet se transferonin para nga llogaritë bankare të shtetasve grekë nëpërmjet agjentëve fiktivë. Në subjektin tregtar të përshtatur për kryerjen e këtyre veprimeve, në mënyrë të paligjshme ishin punësuar 7 vetë nga Fieri.

Dyshohet të jenë mashtruar 5 mijë grekë, të cilëve 7 punonjësit u kanë marrë nga 3 mijë, deri 5 mijë euro. Grekëve të mashtruar u kërkonin të shkarkonin në kompjuter një aplikacion, përmes të cilit u vidhnin të dhënat bankare dhe paratë.

Nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash, etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.

Gjatë operacionit të koduar “Kriptonitë”,  u sekuestruan 23 njësi kompjuterike, një laptop, fatura fiktive e transaksionesh bankare, si dhe të tjera pajisje që përdoreshin për të transferuar paratë, në llogari të tjera. Në pranga kanë rënë një 31-vjeçar nga Tirana dhe një 29-vjeçar nga Korça.