Aktualitet Rajoni

Tokat e manastirit të Deçanit, Kurti kalon në pronësi 24 hektarë, opozita e akuzon për “mashtrim”!

Për më shumë se dy dekada kontestohet pronësia e tokave rreth Manastirit të Deçanit.

Gjithçka nisi kur këto hapësira në vitin 1997 kaluan në pronësi të Manastirit të Deçanit me vendim të ish-udhëheqësit të Jugosllavisë së atëhershme, Sllobodan Millosheviç.

Janë 24 hektarë tokë bujqësore e pyje që kaluan me këtë vendim në pronësi të Manastirit.

Brenda kësaj hapësire janë edhe dy objekte hoteliere me 10 objekte përcjellëse e bashkë me ndërmarrjen “Apiko” që njihej për prodhimin e mjaltit.

Objekti i Hotelit “Iliria” që në vitet e ’80-ta njihej si vendpushimi më i madh i zonës ndodhet i fshehur në pyjet në distancë prej 500 metrash nga Manastiri i Deçanit është pothuajse i shkatërruar. Ndërkohë, ndërmarrja “Apiko” që po ashtu është pranë manastirit, ndaloi së funksionuari në vitet e ’90-ta për shkak të situatës politike të tensionuar, që nga ajo kohë, nuk lejohet qasja në të.

Janë pikërisht këto ndërmarrje që e nisën procesin gjyqësor menjëherë pas luftës në vitin 2000, krahas kësaj, pas lufte Manastiri i Deçanit dhe këto objekte u morën nën mbrojtje nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Beteja ligjore mes këtyre ndërmarrjeve dhe Manastirit të Deçanit që pretendon se deri në vitin 1946 këto prona ishin të tyre zgjati deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese e njohu si pronar legjitim Manastirin e Deçanit.

Këto konteste ligjore u përcollën edhe me protesta nga banorët e zonës, që iu bashkuan autoriteteve komunale që thoshin se nuk do zbatonin një vendim të regjimit serb.

Kjo bëri që krahas përplasjeve ligjore të zhvillohen edhe ato politike, pasi zbatimi i vendimit nuk u bë për tetë vjet.

Më 13 mars të vitit 2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se dha urdhrin ekzekutiv për Agjencinë Kadastrale si autoritet më i lartë shtetëror që të ia regjistrojë pronat, pronarit të njohur nga Gjykata Kushtetuese.

Ekzekutivi për këtë urdhër u arsyetua me faktin se zbatimi i vendimit për pronat rreth Manastirit ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një ditë pas, nga Manastiri i Deçanit nuk kanë komentuar mbi vendimin, e në anën tjetër kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj u shpreh se me këtë urdhër ekzekutiv po dëmtohet Deçani, pasi e pengon zhvillimin.

Për shkak se me Ligjin për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta, ku hyjnë Manastiri dhe objektet e hapësirat përreth, ndalohet çdo ndërtim e zhvillim strukturor.

Kjo po ashtu ka bërë që të ndalohet edhe ndërtimi i rrugës që lidh Deçanin me Malin e Zi. Bashkësia ndërkombëtare, në anën tjetër, e ka mirëpritur urdhrin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Madje, një ditë pas këtij urdhri, Manastiri i Deçanit e vizitoi emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar. Manastiri i Deçanit është i ndërtuar në shekullin e 14-të dhe është në listën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore nga UNESCO.