Health & Beauty Lifestyle

Arsyet pse ju dridhet syri dhe mënyrat si ta ndaloni këtë

Shpesh ndodh që syri pulson dhe shkakton një ndjesi tepër irrituese, por fatmirësisht dridhja nuk është e dhimbshme dhe shumë rrallë mund të paralajmërojë ndonjë shqetësim shëndetësor.

Ajo shkaktohet nga mbi-stimulimi i muskujve të syrit që shkaktojnë tkurrje të pavullnetshme. Ja gjithçka që duhet të dini për këtë shqetësim dhe si mund ta ndalojmë atë.

Nga se shkaktohet dridhja e syrit?

Ka disa shkaqe të mundshme të dridhjeve të syrit: dy nga më të shpeshtat janë stresi dhe mungesa e gjumit. E treta është përdorimi i tepërt i kafeinës, alkoolit dhe nikotinës. Syri gjithashtu mund të “kërcejë” edhe për shkak të “sindromës së syrit të thatë”, si dhe për shkak të një sërë faktorësh të ndryshëm, të tilla si sëmundjet autoimune, plakja ose nga disa medikamente.

Si mund ta ndalojmë dridhjen e syrit?

Disa ndryshime në stilin e të jetuarit mund të ndihmojnë në ndalimin e dridhjeve, edhe pse do të ishte e dobishme gjithmonë të identifikonim shkaqet. Nëse dyshoni për sforcimin dhe lodhjen, mundohuni që të bëni gjumin e plotë dhe të provoni teknikat e relaksimit (si meditimi dhe yoga). Kufizoni konsumin e kafeinës dhe alkoolit. Nëse lëvizja varet nga syri i thatë, përdorni lotët artificialë. Gjithashtu nuk duhet të kaloni shumë kohë para ekraneve elektronike.