Celebrities Music Showbiz

Artisti Ibro Deli flet për këngën më të re dhe ka një këshillë për fansat: “Mos u ndalni…”

Ibro Deli, një artist shumë dimensional, ka qenë ditën e sotme i ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”. Ai së fundmi ka publikuar këngën e tij më të re, “A thu”, për të cilën na ka folur më shumë, por jo vetëm kaq…

Çfarë mund të na thuash për projektin “A thu”?

Kënga “A thu” është punuar më herët, por projektet ndeshën njëra-tjetrën dhe nuk pati kohë të publikohej. Kënga ka tekst të mirë, të ndjeshëm e të thellë dhe mendova se koha e dimrit është periudha më e mirë që ta nxjerr. Meqë do bëja një udhëtim në Barcelonë, mendova që të xhiroj dhe klipin atje. Klipet i realizoj vetë dhe mendoj që ka dalë diçka shumë shumë e bukur.

Si e gjen balancën ti mes muzikës, krijimit të klipeve dhe pasionit për veshjet?

Një artist nuk duhet të kufizohet asnjëherë vetëm në një fushë. Ka qëlluar që e kam dhe pasion të realizoj veshje. Këtë e kam bërë prej kohësh dhe është vlerësuar prej mediave në vende të ndryshme.

Të ka ndodhur që të kesh parë në ëndërr një krijim dhe ta kesh realizuar atë pastaj?

Ka pasur raste që kam realizuar, që e kam parë në ëndërr. Unë kam diçka, që nëse nuk e realizoj atë që mendoj, largohet ideja dhe largohet frymëzimi.

Ke një projekt të ri të cilin do ta sjellësh së shpejti?

Po. Gjëja më me rëndësi është që e kam gjetur veten në rrymën elektronike.

Nëse fansat e tu duhet të mbajnë mend vetëm një gjë prej teje, cila do të doje ti që të ishte ajo?

Njerëzit që më duan, duhet të kuptojnë që të mos ndalen asnjëherë derisa të arrish qëllimin për të cilin je nisur. Kjo do të ishte këshilla ime. Që të arrish gjithmonë qëllimin tënd.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “A thu”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.