Aktualitet Rajoni

Asociacioni dhe zgjedhjet në SHBA, katalizatorë të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme!

Shmangia e presionit ndërkombëtar për miratimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe droja nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, janë dy arsye përse Qeveria e Kosovës e mbështet idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, thotë Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë.

“Nëse partisë në pushtet nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje, ajo do ta pengonte çdo alternativë të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për REL-in më 19 mars se për partinë e tij “është njësoj”.

“Nuk kam unë problem për asnjërin variant… Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë ai, por nuk ka përmendur ndonjë arsye përse do të duheshin zgjedhjet e parakohshme vetëm disa muaj para përfundimit të mandatit qeverisës.

Kurti e ka përsëritur këtë edhe në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ku ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mund ta ndihmojë opozitën për t’i arritur votat e nevojshme.

Opozita, në anën tjetër, kërkon prej kohësh zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç konsideron ajo, dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme. Megjithatë, ajo nuk ka konsensus për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon marsin e ardhshëm.