Politikë

Atentat ndaj ish deputetit socialist, autori djali i komisionerit të ‘Bashkë Fitojmë’

Ish deputeti Armando Prenga i ka shpëtuar një atentati ndaj tij në Fushë Kuqe të Kurbinit. Dyshohet se ngjarja ka motive politike pasi Prenga është mbështetës i kandidates për kryetare bashkie në Kurbin Majlinda Carës, e cila rrëmbeu një mandat të dytë. Autor dyshohet njw 29 vjeçar, djali i komisionerit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhje. Nga të shtënat nuk ka asnjë person të dëmtuar.

Personi që qëlloi në drejtim të makinës së ish deputetit socialist Armando Prenga në Kurbin është djali i komisionerit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhje. Ngjarja ka ndodhur në Fushë Kuqe, kur Prenga po qarkullonte me makinë, kur 29 vjeçari F. I qëlloi me armë në drejtim të mjetit të tij.

Ka qenë vetë ish deputeti që ka njoftuar policinë për ngjarjen. Ndërkohë 29 vjeçari që qëlloi është shpallur në kërkim.

Kurbin/Informacion paraprak

Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar. Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.