Bota

Austria kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE, Kievi i zhgënjyer!

Përpjekjet e Ukrainës për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kanë hasur rezistencë nga Austria dhe kjo që e ka zhgënjyer Ukrainën.

Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg është shprehur se Kievit nuk duhet t’i ofrohet anëtarësimi në bllokun e 27-vendeve dhe duhet të konsiderohen rrugë alternative për të zhvilluar lidhjet BE-Ukrainë.

Ukraina i ka quajtur komentet strategjikisht dritëshkurtër dhe nuk e ka pritur një rezistencë të tillë nga anjëri vend i unionit.

Kujtojmë se në momentet e para të nisjes së luftës në Ukrainë, BE-ja ishte më e unifikuar për t’i dhënë dritën jeshile Kievit për t’u anëtarësuar me procedurë të shpejtuar në Bashkimin Evropian, por duket se qëndrimet kanë filluar të diversifikohen me kalimin e kohës.

Bashkimi Europian ka mbështetur Ukrainën gjatë luftës, duke ndëshkuar Rusinë për pushtimin e saj me sanksione.

Sakaq, ‘Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të kishte më interes për zgjidhjen diplomatike të konfliktit, por do të donte të pushtonte sa më shumë territor të Ukrainës’.

Kështu shkruan Financial Times, duke cituar tre burime të informuara për bisedat me presidentin rus.

Sipas burimeve, Putin mendoi seriozisht një marrëveshje paqeje me Kievin muajin e kaluar, por tani tabloja ka ndryshuar thelbësisht dhe nuk është e mundur që të arrihet një zgjidhje përmes bisedimeve diplomatike, të cilat kanë hyrë në një ‘rrugë pa krye’.