Bota

Autobiografia e Alexei Navalany publikohet më 22 tetor, e shkroi para se të ndërronte jetë!

E veja e Alexei Navalnyt ka njoftuar në mediat sociale se së shpejti do të publikohet autobiografia e bashkëshortit të saj të ndjerë. Yulia Navalnaya thotë se Alexei para se të ndërronte jetë në burgun siberian, la të shkruar një autobiografi që do të dalë në shitje më datë 22 tetor.

‘Më 22 tetor, biografia e Alexeit do të publikohet njëkohësisht në shumë gjuhë. Ai tashmë është përkthyer në 11 gjuhë dhe është i disponueshëm për porositje paraprake duke filluar nga sot. do të botohet patjetër edhe në rusisht’, shkruan Yulia Navalnaya.

Politikani rus i opozitës Alexei Navalny, një kritik i zëshëm i presidentit Vladimir Putin, ndërroi jetë më 16 shkurt të këtij viti në një burg në arktik.

Lajmi u bë i ditur nga shërbimet e burgut, të cilët kanë deklaruar se Navalny është ndjerë keq pas një shëtitje, duke humbur vetëdijen.

“Më 16 shkurt 2024, në koloninë nr 3, i dënuari Alexei Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, duke humbur vetëdijen”, thuhet në një deklaratë.

“Menjëherë kanë mbërritur mjekët e institucionit dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës. Mjekët e urgjencës kanë konfirmuar vdekjen e të dënuarit”, thuhet në përfundim.

Kush ishte Navalny?

I lindur në një fshat në perëndim të Moskës, Alexei Navalny u bë kritiku më i lartë i kohës së Putinit në pushtet.

Aktivizimi i tij politik, duke përfshirë hetime të gjera për korrupsionin e nivelit të lartë dhe kandidimin për të qenë kryebashkiak i Moskës, i dha atij famë dhe shumë besonin se ai përbënte një kërcënim për zotin Putin.

Ishte gushti i vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus u bë titujt kryesorë botërorë. Ai  u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë  dhe Navalny u dërgua në Berlin.

Ekipi i tij akuzoi Kremlinin për helmimin e tij, një akuzë që Kremlini e mohoi. Mjekët gjermanë konfirmuan se ai ishte helmuar me novichok, një agjent nervor i kohës sovjetike.

Pavarësisht rrezikut, Navalny zgjodhi të kthehej në Rusi, ku më vonë u arrestua, u dënua me akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht dhe mbeti në burgjet ruse deri në vdekjen e tij të raportuar sot.