Sociale

Balla përshëndet operacionin e Policisë për shpëtimin e dy turistëve francezë: Si në shtëpinë dhe në besën e Shqiptarit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur operacionin e Njësisë së Policisë Alpine dhe FNSH për shpëtimit të dy turistëve francezë të bllokuar prej orësh në një zonë tejet të vështirë malore në Shkodër.

Pas 8 orëve kërkimi nga Njësia e Policisë Alpine, FNSH dhe me ndihmën e banorëve të zonës u bë i mundur lokalizimi, nxjerrja në rrugë dhe dërgimi i turistëve në spital, ku njëri prej tyre vazhdon të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën pas komplikacioneve shëndetësore që kishte shfaqur.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë së Shtetit për gatishmërinë e treguar si dhe për ndihmën e ofruar.

Këtë sezon turistik Policia e Shtetit ka realizuar një sërë operacionesh shpëtimi të suksesshme duke i ardhur në ndihmë vendasve dhe turistëve. Vigjilenca maksimale dhe gadishmëria ka bërë që të rritet siguria në vend.

Ministri Balla i ka bërë thirrje çdo qytetari apo turisti që gjenden në nevojë të kërkojnë ndihmë, pasi Policia është në dispozicion dhe ndërhyrja e specializuar do të jetë e menjëhershme.