Lajmet e fundit Rajoni

“Ballkani i hapur”, qeveria e Kosovës del kundër nismës

Qeveria e Kosovës ritheksoi të enjten qëndrimin e saj kundër nismës së përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që u bë e njohur deri sot si Mini-Shengeni ballkanik. As ndryshimi i emrit në Ballkani i Hapur, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë, zëdhënësja e së cilës, Rozafa Kelmendi tha se kjo nismë është pa vizion për rajonin.

Republika e Kosovës e ka propozuar avancimin e bashkëpunimeve rajonale nga CEFTA në SEFTA nga e cila do të përfitonin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën ftesë qeverive të rajonit që të mbetën të përkushtuara në agjendën e Bashkimit Evropian dhe në marrëdhënie trans-atlantike, tha zëdhënësja Kelmendi.

Kosova është zotuar me marrëveshjen e katër shtatorit të vitit 2020 të arritur në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë se do të bëhet pjesë e projektit për lëvizjen e lirë në rajon.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë e cila sikurse Mali i Zi dhe Bosnja, nuk kishte marrë ftesë as për takimin e sotëm në Shkup.