Aktualitet Sociale

Bamirësi për festa/Fondacioni “Dritan Hoxha” shpërndan dhurata në vend!

Fondacioni “Dritan Hoxha”, në bashkëpunim me Top Channel edhe ketë fundvit ka ndërmarrë një nismë gjithëpërfshirëse nëpër Shqipëri, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve dhe fëmijëve që janë më në nevojë këtë prag Krishtlindjesh.

Ndalesa e parë ishte në qytetin e Pogradecit, në qendrën komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuar e ku për 52 fëmijët që marrin trajtim në këtë qendër u shpërndanë ëmbëlsira, dhurata, si dhe u organizua një festë.

Në Gjadër të Lezhës, në qendrën Rozalba, ku strehohen dhe mbrohen vajzat që kanë kaluar përvoja të rënda në jetën e tyre dhe punohet që të nisin një jetë të re duke lënë pas atë çfarë u ka ndodhur, u shpërndanë disa pako ushqimore. Janë rreth 22 vajza edhe fëmijë që strehohen në këtë qendër.

Në Tiranë u organizua një aktivitet artistik, ku dhjetëra fëmijë të qendrave komunitare në kryeqytet morën dhurata nga babagjyshi.

Dhjetëra familjeve në nevoje që jetojnë në varfëri ekstreme iu dorëzuan pako ushqimore.

Fondacioni “Dritan Hoxha” në vigjilje të Krishtlindjeve solli pak shpresë për këto familje. Që nga viti 2010 kur u krijua fondacioni që mban emrin e themeluesit të Top Media Group, Dritan Hoxha, krahas përmbushjes së misionit në fushën e medias, artit e kulturës, ka kontribuar edhe në çështje sociale që prekin familje apo grupe vulnerabël në nevojë./Top Channel