Aktualitet

Banka e Shqipërisë: “Rritja e çmimeve në tregjet botërore, ndikim 54% në inflacion!

Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri.
Banka e Shqipërisë llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.

Në vrojtimin e ndërmarrë nga Banka Qendrore, parashikohet që presionet e inflacionit të importuar të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

Treguesit e Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) u zgjeruan me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021. Kjo dukuri dominoi kryesisht gjatë muajve gusht dhe shtator.

Sipas INSTAT-it, për tremujorin e tretë të këtij viti, inflacioni mesatar u rrit në pothuajse 2.4%, nga 1.8 që kishte qenë në tremujorin e dytë dhe 0.9% në tremujorin e parë. Kontributin dërrmues në rritjen e inflacionit gjatë tremujorit të fundit e dhanë grupet e Ushqimeve, Transportit dhe Energjisë.