Aktualitet

Bankat lehtësojnë kushtet e dhënies së kredisë!

Pas 15 muajsh shtrëngimesh, përmirësimi i situatës pandemike në vend ka sjellë edhe lehtësimin e kushteve të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë. Në tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor) bizneset e vogla dhe të mesme e kanë pasur më të lehtë të marrin kredi, si për investime ashtu edhe për likuiditet.

Në opinionin e bankave tregtare standardet e kreditimit për bizneset u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2021, për herë të parë pas pesë tremujorësh që u raportuan të shtrënguara, -thuhet në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë.

Lehtësimi i kushteve konsiston në rritjen e vlerës së kredisë, kërkesë të moderuar për kolateral apo edhe kushtëzime më të lehta në marrëveshjen e huasë. Ndërkohë sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kushtet e kredisë për bizneset e mëdha vijojnë të mbeten të pandryshuara. Shkak është bërë situata ekonomike e pasigurt, aftësia paguese e kredimarrësve, si edhe rreziku lidhur me kolateralin e kërkuar.

Në këtë tremujor të dytë të vitit ka pasur një rritje të kërkesës për kredi nga të gjitha kategoritë e bizneseve, e ndikuar më së shumti nga nevoja për investime.

Kërkesa më e lartë për kredi nga bizneset në tremujorin e dytë, sipas gjykimit të bankave u përcaktua nga shtimi i nevojave për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve, ri-financimin e borxheve ekzistuese dhe financimin për ristrukturimin e kompanive, -nënvizohet ndër të tjera në vrojtim.

Ndikim pozitiv në rritjen e kredisë kanë dhënë edhe normat e favorshme të interesit apo përmirësimi i situatës ekonomike. Bankat tregtare presin që kërkesat për kredi të rriten edhe në tremujorin e tretë të vitit. Gjatë kësaj kohe pritet të dominojë kredia për likuiditete, ndërkohë që ajo për financimin e investimeve parashikohet të jetë më e ulët.