Aktualitet

Me përfaqësues të sistemit bankar, kryeministri Rama: Dixhitalizoni sistemin sa më shpejt!

Sot në një tryezë me përfaqësues të sistemit bankar e të Fintech-ut, me fokus nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në dixhitalizimin e shërbimeve financiare, kryeministri Edi Rama tha se tashmë bankat duhet të jenë në nivelin e lartësisë së sfidës që është edhe sfida e Shqipërisë, për të “shkëlqyer në Europë”.

Nga Banka e Shqipërisë kërkoi që të udhëheqë procesin e dixhitalizimit, sa më shpejt të jetë e mundur. Shefi i qeverisë theksoi se këtë proces duan ta bëjnë në paqe, por “gjithsesi do ta bëjnë”, se sipas kryeministrit Rama, “çdo gjë që e bën një shtet tjetër, nuk ka pse Shqipëria të mos e aplikojë”.

Shqipëria duhet që të shkëlqejë në rajon dhe në Europë: në turizëm, energji, inovacion. Këto janë tre drejtimet ku mund që të rrisim ekonominë, mund të krijojmë hapësirë për biznesin e për familjet. Tani në epokën e teknologjisë, vendi mund të bëjë një kapërcim 100 vjet brenda 6 muajsh. Bankat janë aty për t’i hapur dyert e zhvillimit të teknologjisë Shqipërisë, që mund të shkojë shumë më shpejt duke u kthyer nga një vend me përdorimin më të lartë të cash-it në ekonomi, në një vend pa cash në transaksionet e jetës ekonomike. Kjo është plotësisht e mundur.

Unë e di shumë mirë se tek hyrja në vend e aktorëve të rinj që vijnë me zgjidhje dixhitale ka dhe sfida e prishje të rehatisë së bankave, patjetër. Por, kjo është e paevitueshme.  Mendoj se është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë! Nuk mund të pranojmë më këtë situatë!

Duam ndryshim të shpejtë dhe real, jo pas disa vitesh, por këtë vit. Pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja, biznese që shesin me këto sisteme. Duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, rritje reale të transparencës së parasë dhe të ardhurave për vendin. Këtë duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe paqe, por në të gjitha rastet do ta bëjmë patjetër, se nuk pranojmë dot këtë inerci të tmerrshme. BSH-ja ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë. Të gjitha justifikimet, alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit, ne nuk do t’i pranojmë. Çdo gjë që e bën një vend tjetër, nuk ka pse nuk e bën Shqipëria.