Aktualitet Politikë

Bardhi flet pas negociatave me PS: Kur të ngrihen komisionet shpallim nëse do zgjidhet ngërçi në Kuvend

Gazment Bardhi ka folur pas negociatave me PS, ku tha se është rënë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Po ashtu, Bardhi tha se do ngrihet edhe një nënkomision për Reformat, që do diskutojë çdo reformë që kërkon gjithë përfshirje dhe konsensus, përfshirë këtu Reformën Zgjedhore.

Bardhi tha se është një lajm i mirë që mazhoranca ka reflektuar. Bardhi tha se nesër kur të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve dhe të shpallë ngritjen e komisioneve do të shpallin edhe nëse do zgjidhet bllokimi i punës në Kuvend.

“Bipartizan për reformat, mos te krijojmë konfuzion. Sot pas 5 muajsh, mbledhja e Konferencës së kryetarëve u kthye më 12 tetor aty ku nisi edhe motivi i opozitës për bllokimin e punës. I kam bërë apel mazhorancës që të mos marrin vendim të nxituar, të marrin kohë të nevojshme për një dialog parlamentar të nevojshëm. Me arrogancë më 12 tetor u vendos rrëzimi i kërkesës për komision hetimor lidhur me PPP në shëndetësi, rrëzimi i komisionit hetimor për TIMS dhe u vendos refuzimi i kërkesës për të ndryshuar përbërjen e komisionet të Reformës Zgjedhore. Lajm i mirë që pas 5 muajsh rezistencë për këtë arrogancë të shfaqur më 12 tetor nga ana e mazhorancës, ata kanë reflektuar dhe i diskutojmë. Ka pasur vendimmarrje në parim, kemi rënë dakord për pranimin e kërkesës së opozitës për komisionin për PPP në shëndetësi, për ndërhyrjet e paligjshme në TIMS dhe kemi rënë parimisht dakord që çdo ligj që kërkon 3/5, pa përjashtuar Reformën Zgjedhore, të diskutohet në një nënkomision që do ngrihet mes PS dhe grupit të PD, me vendimmarrje që merren me konsensusin e të dyja palëve. Do duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërcin që është krijuar në Kuvend për shkak të arrogancës së mazhorancës”